Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi në Parlament, që të vinte Rama të jepte shpjegime për atë që ai e konsideron si vjedhjen 200 mln euro për Teatrin Kombëtar. Teksa kreu demokratik fliste, nga salla dikush qeshte. Kjo bëri që Basha t'i drejtohej me fjalët: "Mos u zgërdhini, hajdutër"

Basha: Që t’u bësh pyetje këtyre hajdutëve që kemi mbrapa, me kryehajdutin që nuk ka ardhur akoma, është e kotë. Por LSI insiston akoma, insiston. Ka bërë pyetje.  Keni sjellë një projekligj me urgjencë, për të vjedhur Teatrin, për të pastruar 200 milionë euro të drogës, po përdorni procedurën me urgjencë.  Emergjencën tuaj për të vjedhur e ka kuptuar gjithkush, edhe ata qindra mijëra qytetarë dhe artistë që po protestojnë jashtë. Mos u zgërdhini! Hajdutë qepeni gojën! Por, që mos t’i përgjigjesh as pyetjeve të opozitës ç’kuptim ka ky Parlament? Ç’kuptim ka që të vazhdojmë këtu, në qoftëse bedelët e kryehajdutit vijnë dhe as nuk i përgjigjen pyetjeve të opozitës? Çfarë kujtoni se jeni ju more? Çfarë mendoni, nga e keni marrë pushtetin? Mendoni se ata kriminelë dhe ato lekë droge që ju kanë dhënë pushtetin do t’ju mbrojnë deri në fund? Po i vini flakën Parlamentit. 

Thirrni mendjes! Thirrini mendjes! Në krevat me krimin. Tenderat me krimin. Tani doni ta shndërroni dhe këtë Parlament në mënyrë përfundimtare në një tetatër të krimit. Prandaj nëse nuk ka këllqe ajo siç nuk kishte në komisione, nëse s’ka këllqe ky tjetri, le të vijë ai, ideatori I vjedhjes 200 milionë euro të japë përgjigje këtu. Kush jeni ju që e trajtoni opozitën si dekor, si fasadë? Keni marrë pyetje, përgjigjiuni pyetjeve. Minimalisht përgjigjjuni pyetjeve! Pyetjet janë të qarta, janë konkrete. Dilni këtu e përgjigjjuni pyetjeve! Mos vazhdoni këtu me procedurë fasadë, se nuk do t’i lini rrugë tjetër qytetarëve pastaj t’ju trajtojnë siç trajtohet çdo fasadë kriminale. Dhe mos u zgërdhini, hajdutër!"

Në përgjigje, kreu i grupit të PS, Taulant Balla, i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi të marrë masa ndëshkimore ndaj Bashës.

Ai akuzoi Bashën se ka përdorur gjuhë fyese dhe të papranueshme në Kuvend duke shkelur Kodin e Etikës.

Taulant Balla: Z. Kryetar i Kuvendit në mënyrë të përsëritur disa përfaqësues të opozitës, kryetari i grupit parlamentar Spaho dhe tani krytari i PD-së përdorin në Kuvend një gjuhë tërësisht të papranueshme, me fyerje të papranueshme nga kodi i etikës i miratuar nga ky Kuvend dhe nga rregullorja e Kuvendit. 

Unë i mirëkuptoj përfaqësuesit e opozitës që kauzat e tyre të gjitha janë fashitur të gjitha në betejat e tyre me mullinjtë e erës. Kjo është e njëjta betejë sikurse për Bulevardin, sheshin Skënderbej, parkun, stadiumin Qemal Stafa dhe të gjitha investimet e rëndësishme në Tiranë si këto. 

Por këta persona të papërgjegjshën në gjuhën që përdorin dhe retorikën e papranueshme nuk mund të lihen jashtë vëmendjes. Më lejoni t'ju them që grupi parlamentar i Partisë Socialiste për deputetin parafolës do ti kërkojë byrosë së Kuvendit masën ndëshkimore për gjuhë tërësisht të papranueshme. 

Dhe e dyta përsa i përket procedurës, Kuvendi i Shqipërisë e ka të përcaktuar shumë qartë në nenin 73 të zhvillimit të një seance plenare. Nëse opozita ka ardhur që përmes pyetjeve, për të cilat i ka marrë përgjigjet një për një në komisionet parlamentare, më 3 komisionet parlamentrare, kjo çështje tashmë është e mbyllur sepse kryetari i Kuvendit ka përcaktuar tashmë listën e deputetëve për të zhvilluar debatin."

Kreu demokrat iu përgjigj sërish Ballës, duke theksuar se Kodi i Etikës zbatohet duke mos vjedhur dhe duke mos vendosur ministra njerëz të lidhur me drogën dhe krimin.

Basha: Do na mbyllni gojën me një palo kod etike. Kodi i Etikës është mos vidh, mos bashkëpuno me krimin, mos vë ministra të lidhur me drogën dhe krimin. Kjo seancë ka vetëm një mënyrë për të vazhduar dhe filloni dhe jepuni përgjigje pyetjeve që ju kanë dërguar kolegët e LSI-së. Në qoftë se doni të vazhdoni si fasadë do merrni përgjigjen që meritoni.

/Ora News.tv/