Vëtëm 24 orë pas publikimit të audio-përgjimit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke e akuzuar se ka mbrojtur vëllain e tij për të cilin opozita pretendon se ushtron aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike.

Basha: Në emër të Partisë Demokratike, në emër opozitës, kërkoj largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e Ministrit të Brendshëm. Tani është momenti që të largohet si Ministër që t’i nënshtrohet ligjit anti-mafia.

As policia dhe as prokuroria, tha Basha, nuk veprojnë sa kohë kohë Fatmir Xhafaj është Ministër i Brendshëm.

Basha: As Ministria e Brendshme, as Policia, as Prokuroria e kapur nga dyshja Rama-Xhafa nuk vepron dhe nuk do të veprojë sa kohë Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm, eprori politik i Policisë që kryen verifikimet dhe hetimet dhe padroni politik i Arta Markut dhe Donika Prelës.Prandaj Fatmir Xhafaj duhet të largohet menjëherë nga Ministër i Brendshëm.

Deklaratat Basha i bëri pas takimit me aleatët parlamentarë në selinë blu.





/Ora News.tv/