Monika Kryemadhi: 9 kushtet e Bundestagut, axhenda e opozitës
Me kërkesën e përcaktuar tashmë për largimin e kryeministrit Edi Rama opozita ka nisur takimet konsultative për ecurinë e aksionit politike.
Kreu i PD, Lulzim Basha mblodhi në një takim aleatët e kësaj force politike, ku diskutoi për gati dy orë mbi vendimin negativ të BE për mos çeljen e negociatave si dhe për procedurave që do të ndiqen për reformën zgjedhore.
Në përfundim të takimit ishte kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila theksoi se kushtet e Bundestagut do të jenë edhe kërkesa e opozitës drejtuar qeverisë.
Monika Kryemadhi: Anxhenda jonë nuk është thjeshtë politike, ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Na motivon akoma më shumë si tryezë e fronit opozitar ku 9 kushtet e Bundestagut janë axhenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare. Shkaktari i të gjithë kësaj situate të degraduar dhe që largon çdo ditë e më shumë Shqipërinë nga BE-ja është kryeministri Edi Rama, i cili është ai që duhet vendosur përballë gjithë përgjegjësisë. Në fakt e vendosi BE-ja përballë përgjegjësisë.
Kushtet e Bundestagut e kanë bërë shumë të qartë. Maqedonia ishte shteti që u ndëshkua për shkak të mos ecjes së reformave nga qeveria shqiptare. Ku një nga pikat kryesore janë 9 kushtet e Bundestagut dhe pjesa tjetër është mos reagimi ose mos lëvizja e qeverisë shqiptare për kushtet e një viti më parë. Ne kemi bërë hapin e parë të shtrirjes së dorës kur kemi propozimet tona sa i përket reformës zgjedhore sepse pa reformë zgjedhore nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjë që e thotë BE. Pa zgjidhjen e krizë politike shqiptarët nuk mund të kenë asnjë mundësi për t'u integruar dhe për të ecur para, e për krijuar sigurinë e jetës së tyre, klimën e biznesit. Ne mendojmë që nuk duhet të bëjmë më asnjë hap të gabuar. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të ngjallur optimizmin tek njerëzit dhe për të kthyer hakun tek i zoti.
Kryemadhi nuk la pa përmendur edhe protestat.
Kryemadhi: Protesta do vijë derisa ti kulmojë në pikën e fundit. Ka një zgjidhje, të largohet Edi Rama dhe ti krijohet mundësia shqiptarëve për të kryer zgjedhje të lira dhe të ndershme pa ndikimin e bandave kriminale.
Tashmë axhenda e opozitës nuk do jetë vetëm një axhendë politike, por e fokusuar tek integrimi evropian i Shqipërisë.
Më herët gazetari i Ora News, Everest Dedaj nga selia blu raportoi se prej 10 ditësh PD dhe ish-deputetët e saj janë duke hartuar një platformë për ndryshimin e kodit zgjedhor.
Ai theksoi se gjithashtu strukturat në qarqe janë urdhëruar të rrinë në gatishmëri për nëse do të jetë e nevojshme për t'u rikthyer në protesta masive.
Everest Dedaj: Ka dy linja në selinë blu që po diskutohen. PD dhe ish-deputetët e saj janë angazhuar për më shumë se 10 ditë për të hartuar një platformë të plotë sa i përket ndryshimeve në kodin zgjedhor, që përfshin dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, i cili prek një seri ligjesh përfshirë kodin zgjedhor, ligjin e partive politike, por nuk përjashtohet edhe ndërhyrja në kushtetutë, çka do të thotë se PD nuk përjashton mundësinë edhe të prekjes së sistemit zgjedhor.
Degët e PD dhe zyrtarë janë angazhuar në takime intensive në strukturat në rrethe. Urdhri apo porositë janë që degët të qëndrojnë në gatishmëri nëse do të jetë e nevojshme për t'u rikthyer në protesta masive.