Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ditën e sotme (17 nëntor) është ndalur në Divjakë, në një bashkëbisedim me banorët, në kuadër të urit “Rrugëtimi për Shqipërinë”.

Basha tha se sot shteti është kundër shqiptarëve dhe është kthyer në një kalçeto korrupsioni.

Lulzim Basha: Sot shtetin e keni kundër. Sot shteti ju shikon nga xhepat. Shteti ju shikon si t'ju marrë edhe kacidhen e fundit. As nuk kujtohet për ju, as nuk kujtohet për fëmijët tuaj, as nuk kujtohet për rrugët tuaja, keni apo nuk keni ujë. E paguani apo nuk e paguani dot faturën e energjisë.  Shteti nuk është për t’ju ndihmuar. Ky shtet është një kalçeto korrupsioni. Ky shtet ju sheh vetëm si lopë për t’ju mjelë. Që nga 1912, Edi Rama është i vetmi që ka arritur rekordin që Shqipëria të jetë e treta në botë më e korruptuar. 

Sipas kryedemokratit zgjidhja që paratë të shkojnë tek fermeri dhe jo tek oligarkët është që të anulohen koncesionet PPP.

Lulzim Basha: Zgjidhja është që paratë që shkojnë tek ata oligarkë të kalçetos të shkojnë tek fermeri. Koncesionet dhe PPP-të do të anulohen dhe paratë do të kthehen në shërbim të njerëzve. Për fermerët do të kthehen në një buxhet 100 milion euro për mbështetje direkte për fermerin.  Në kushtet e sotme me fat është ai që del fyt e fyt, shumica jeni të zhytur në borxhe dhe merrni borxhe për të larë borxhe. Askush nuk i kupton këto në kalçeton e korrupsionit. 

/Ora News.tv/