Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar nga Brukseli pas kërkesës së Bashës ndaj Prokurorisë për nisjen e procedurave për heqjen e mandatit të deputetit.

Në një postim në fb, ai shkruan: Lulzim! Ti e di që je zyrtarisht në hetim për “kallzim të rremë” bashkë me Shpifës Nuhun. Për mua flasin qartë kamerat e komisariatit (s'kam qenë hiç aty, madje as Nuhun s'e ke aty).

Balla ka paralajmëruar se nesër, sapo të kthehet nga Parlamenti Europian, do të bëjë një kallëzim tjetër ndaj tij dhe Florenc Hoxhës.

Balla: Gati një kallzimi tjetër për ty dhe Florenc Hoxhën, shokun tënd të famshëm që s'i zë dora vend pa shkelur ligjin.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi më herët  arrestimin e menjëhershëm të drejtorit të policisë Ardi Veliu dhe vartësit të tij në policinë e Fierit, si dhe heqjen e imunitetit të deputetit Taulant Balla. Basha tha se këta persona manipuluan provat për të nxjerrë të pa fajshëm Agron Xhafajn, ndërsa paralajmëroi se nga ky vendim i prokurorëve varet jo vetëm zbatimi i ligjit por dhe stabiliteti i vendit.

/Ora News.tv/