Politikanët urojnë nxënësit: Qoftë vit i mbarë i ndriçuar nga drita e dijes

Politikanët urojnë nxënësit: Qoftë vit i mbarë i

Kreu i PD, Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi kanë uruar nxënësit për ditën e parë të shkollës.

Demokrati Basha tha se lulet që mbajnë nxënësit në dorë janë simboli i shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë për fëmijët që sipas tij nuk do vonojë.

Lulzim Basha: "Të dashur nxënës, prindër dhe mësues, ju uroj nga zemra vit shkollor të mbarë dhe të ndriçuar nga drita e dijes! Lulet që mbajnë sot vogëlushët në duar janë simboli i shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, që nuk do të vonojë."

Ndërsa Kryemadhi iu drejtua nxënësve duke thënë se do punojë më shumë për një arsim cilësor në Shqipëri dhe që arsimi falas të jetë i prekshëm nga të gjitha familjet shqiptare

Monika Kryemadhi: "Një urim të veçantë për të gjithë nxënësit, që ulen sot në bankat e shkollës. Për ata të shkëlqyerit, që na kanë nderuar me rezultatet e tyre anembanë botës. Për ata, që me sakrificat e mëdha të prindërve të tyre përpiqen çdo ditë të jenë më të mirët. Për ata nxënës, që sfidojnë varfërinë, mjerimin dhe ndjekin shkollën në kushte të vështira. Për të gjithë ata fëmijë që, çdo mëngjes marrin bekimin dhe urimin e prindërve për të ecur në rrugën e dijes. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë nxënësit në mbarë Shqipërinë!

Ky urim është bekimi im si nënë për ju. Ndërsa si politikane më duhet të reflektoj dhe punoj më shumë, që arsimi në Shqipëri të jetë më cilësor, që shkollat, klasat dhe mësuesit të jenë në nivelet që fëmijët meritojnë. Që askush nga politika të mos tallet dhe ta përdorë arsimin falas si mjet të propagandës, por ta bëjë atë të prekshëm për të gjithë familjet shqiptare nga Vermoshi në Konispol.

Ky është dhe do të mbetet misioni im dhe i LSI. Ndaj në këtë ditë, uroj që dhe premtimet tona ndaj jush të dashur nxënës të jenë të qarta dhe të sinqerta, të thjeshta dhe plot me energji. Siç jeni dhe ju, brezi që padyshim do ndërtoni një Shqipëri më të mirë!"

Kryeparlamentari Ruçi tha se asgjë nuk është më e veçantë dhe më e bukur se dita e shkollës për nxënësit.

Gramoz Ruçi: "Ju drejtohem posaçërisht 3 mijë nxënësve. Ata do ta mbajnë mend këtë ditë pasi do kalojnë në jetë shumë ngjarje, do fitojnë shumë profesione dhe do ndërtojnë familje e karriera. Por asgjë nuk është më e veçantë dhe më e bukur se dita e shkollës, kur nisin rrugëtimin që do ta vazhdojnë dhe do ta shoqërojë gjithë jetën e tyre. E kuptoj që kthimi i investimeve në arsim nuk është afatshkurtër dhe kërkon një kohë të gjatë."

EMISIONET