Basha e Kryemadhi dënojnë dhunën fizike ndaj analistit Lubonja

Basha e Kryemadhi dënojnë dhunën fizike ndaj analistit Lubonja

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dënojnë dhunën fizike dhe psikologjike drejtuar analistit Fatos Lubonja.

Sipas Bashës kjo lëvizje vjen pas gjuhës së urrejtes që kryeministri Edi Rama është duke përdorur kundër zërave kritikë dhe medias që është jashtë kontrollit të tij.

"Dënoj me ashpërsi dhunën e drejtuar kundër intelektualit publik Fatos Lubonja. Kjo dhunë fizike vjen në klimën e dhunës psikologjike, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve të Edi Ramës kundër zërave kritikë dhe medias jashtë kontrollit të tij. Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbështesim zërat e lirë si Fatos Lubonja ndaj ju ftoj të gjithë të solidarizohemi me të dhe çdo media dhe zë kritik", shkruan Basha. 

Ndërsa Kryemadhi thotë se është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes.

"Të frymëzuar nga dhuna e pushtetit dhe mbytjes së demokracisë prej atyre që kanë rrëmbyer shtetin, simboli i lirisë së mendimit, Fatos Lubonja është kthyer në viktimë të një sulmi të dhunshëm.

Dënoj me forcë aktin, i cili është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes.

Kjo dhunë ndaj njërit prej përfaqësuesve më të denjë të fjalës së lirë, është paraprirë nga ligji i inkuizicionit ndaj medias së pavarur miratuar nga Qeveria e paligjshme vetëm disa ditë më parë.

Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve.

Dhuna ndaj mendimit të lirë nuk ka vend në demokraci", shkruan Kryemadhi.

EMISIONET