Basha-biznesit: Kuponi tatimor, vegël e qeverisë për t'ju mbajtur nën presion

Kreu i PD, Lulzim Basha tha se kuponi tatimor është një vegël e qeverisë për të mbajtur nën presion bizneset. Nga Saranda, ku zhvilloi turin e takimeve, kreu i opozitës tha se do të zhbëhet detyrimi për të kolauduar kasën në mënyrë vjetore, që siç tha ai shkon më shtrenjtë se kolaudimi i makinës.

Basha: Kasa dhe kuponi janë preteksti. Keni Korfuzin përballë ka një situatë të tillë me biznesin e vogël, që shumica janë biznese familjare?! Absolutisht jo! Kuponin e japin me dorë. Është kështu apo jo? Është e qartë se kjo është një vegël e pushtetit për t’ju mbajtur ju nën presion dhe për t’ju vjelë e për t’ju mjelë. Prandaj kasa fiskale,  e them edhe një here e kemi vendosur ne kasën fiskale, e kemi vendosur ne edhe detyrimin për kolaudim, por këta e kanë marrë dhe e kanë kthyer nga një instrument të transparencës financiare në një instrument të vjedhjes. Prandaj hapi i parë do të jetë kasa fiskale, detyrimi për të transmetuar të dhënat në Ministrinë e Financave do të zhbëhet dhe detyrimi për të kolauduar kasën në mënyrë vjetore me shuma që do të arrijnë më shtrenjtë se kolaudimi i automjetit do të anulohet. Nuk do të ketë më taksidarë që mbijnë nga mëngjesi deri në darkë tek biznesi i vogël për kërkuar faturat, kuponat dhe mbi bazën e tyre për t’ju gjobitur dhe për t’ju terrorizuar.

EMISIONET