Barra fiskale për librin, taksë 20 % shtëpive botuese, 6 % për lexuesit

Barra fiskale për librin, taksë 20 % shtëpive botuese, 6 %

Shoqata e Botuesve nuk e ka pritur mirë vendimin për aplikimin e TVSH-së mbi librin duke nisur nga janari i këtij viti. Një barrë e tillë fiskale pritet të rrisë koston pë lexuesit dhe të dekurajojë botimet e reja. Ndërkaq gazetari Gjergj Erebara mendon se ligji është i paqartë për taksimin e librave të botuar para këtij viti ndaj duhen udhëzime nga Ministria e Financave.

Nga 1 janari i këtij viti, ndaj shtëpive botuese po aplikohet taksa e librit në masën 20 për qind dhe për blerësit 6 për qind si pasojë e përfshirjes në skemën e TVSH.

Një situatë e tillë është pritur me shqetësim nga Shoqata e Botuesve.

Sipas këtij organizmi, pavarësisht se kërkesa për uljen e barrës fiskale u mbështet nga deputetët Erjon Braçe dhe Milva Ekonomi, drafti përfundimtar i mazhorancës nuk e pasqyroi këtë qëndrim.

Petrit Ymeri: Libri ka qenë me një sistem TVSH -je 20% në blerje dhe zero në shitje. Tani në fund të fund të vitit është bërë ndryshimi nga zero në 6 %. Nuk jemi të sigurtë akoma sepse nuk ka dalë udhëzimi i ministrisë së Financave, nëse ky ndryshim do të prekë vetëm shitjen nga botuesi tek libraritë apo edhe blerjen nga shtypshkronjat. Përpjekjet tona të para kanë qenë për të patur një TVSH zero që nuk u arrit, pastaj për të pasur një tvsh që u arrit. Koston 6% do ta mbajmë ne, jo lexuesi. Lexuesi do të marrë librin me çmimin e kopertinës. 

 

Gazetari Gjergj Erebara thekson se ligji i ri është i paqartë dhe Ministria e Financave ende nuk ka nxjerrë udhëzime për të shpjeguar se si do të procedohet me librat e botuar në vitet e kaluara.

Gjergj Erebara: Nuk e di sa pasoja do të ketë realisht në tregun e librit, por ta bëjë jetën më të vështirë për librarët. Çudia më e madhe është që Parlamenti e vendosi këtë sistem të komplikuar duke u nisur nga synimet për ta favorizuar më tej librin.

Rritja e TVSH për librin përveçse do të sjellë kosto shtesë në xhepat e lexuesve, duket se do të dekurajojë edhe botimin apo edhe përkthimin e  librave të rinj.

EMISIONET