Zv.guvernatori i bankës qendrore kineze Chen Yulu u shpreh të dielën në Pekin se funksionimi i sistemit financiar në Kinë është në përgjithësi i qëndrueshëm, tregu financiar parashikohet se do të jetë i qëndrueshëm, e po ashtu edhe kreditimi po rritet në mënyrë të shpejtë e të qëndrueshme. Ekonomia kineze nuk është goditur rëndë nga epidemia dhe ka dhënë kontribut për qëndrueshmërinë e ekonomisë globale.

Në një konferencë shtypi mbi ndikimet e epidemisë ndërkombëtare dhe ruajtjen e stabilitetit të tregut financiar, të organizuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës, Chen Yulu tha se, lidhur me nevojat e parandalimit e të kontrollit të epidemisë dhe të rifillimit të prodhimit, sistemi financiar publikoi një sërë masash që po arrijnë rezultate të dukshme. 

Ai u shpreh se ditët e fundit epidemia jashtë Kinës po zgjerohet më tej dhe tregjet financiare ndërkombëtare kanë njohur turbullira dhe po rritet rreziku i uljes ekonomike. Në këtë sfond, situata botërore i sjell ekonomisë kineze sfida të reja. Tani situata e parandalimit dhe e kontrollit të epidemisë në Kinë është e qëndrueshme. Ekonomia reale po përmirësohet dhe bazat e zhvillimit afatgjatë të ekonomisë kineze kanë mbetur të pandryshuara.

Treguesi i çmimeve të konsumit i Kinës në janar dhe shkurt u rrit 5.3 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Chen Yulu tha se ndikimet e epidemisë mbi ofertën dhe inflacionin do të vazhdojnë në një periudhë afatshkurtër. Por me përmirësimin e gjendjes së epidemisë dhe rifillimin e prodhimit, rritja e çmimeve do të zbutet dhe parashikohet se në nëntë muajt e fundit të vitit 2020 çmimet do të ulen.

/Marrë nga CRI/

/Ora News.tv/