Vendimin e opozitës për të djegur mandatet dhe për të nisur protestat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka quajtur vetëvrasje politike.

Madje Taulant Balla ka drejtuar gishtin nga ish-kryeministri Sali Berisha, si regjisori politik i një situate që po dëmton imazhin e Shqipërisë, madje duke i kujtuar atij dhe vitin 1997.

Balla: Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë persona përgjegjës për një dëmtim të rëndë të imazhit të Shqipërisë me dhunën e 16 shkurtit. Ato pamje që rikthyen në mendjen e shqiptarëve ngjarjet e rënda të 1997, të cilat po ashtu kanë për autorësi Sali Berishën.

Puna e parlamentit dhe e qeverisë do të vijojë të funksionojë edhe pa opozitën pasi sipas Ballës ato janë legjitime pasi janë zgjedhur me votat e popullit.

Balla: Vetëvrasjen politike të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk e ka mbështetur askush dhe nuk ka për ta mbështetur askush. Ne kemi detyrën që ti qëndrojmë strikt dhe besnik mandatit që na dha populli i nderuar i Belshit. Mandati i 25 qershorit ishte referendum.

Në takimin me socialistët në Belsh, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste i kujtoi opozitës se ndërkombëtarët mbështesin qeverinë dhe jo opozitën.

/Ora News.tv/