Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla thotë se Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkon të çojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e ish-deputetit të PD, Enkelejd Alibeaj.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se procesi për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është i rregullt.

Balla:  Ka dalë sot që në mëngjes Presidenti dhe thotë që Kuvendi i Shqipërisë ka shkelur afatin dhe është me vonesë.

Presidenti i Republikës për kandidaturën e dytë që i takon kishte 30 ditë kohë, nga data 7 tetor deri në 7 nëntor. Një shpikje e re e Presidentit.

Presidenti i Republikës paska të drejtë të pezullojë Kushtetutën, të pezullojë afatet.

Me këtë precedent të rëndë kushtetuese Presidenti do dalë nesër dhe do thotë: pezulloj afatin 5-vjeçar të Presidentit të Republikës, do ta bëj 50-vjet.

Presidenti i Republikës e ka të përcaktuar qartë që në fund të 30 ditëve institucioni bazë i emërimeve në drejtësi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi thotë: afati yt mbaroi, i pari i rankuar me pikë zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Unë dua ta uroj për detyrën e marrë nga KED, znj. Arta Vorpsi, pas përfundimit të procesit.

Pra, aktualisht kemi tre anëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Kemi zonjën që është në detyrë, z. Besnik Muçi që është dekretuar nga presidenti dhe znj.Arta Vorpsi.

Kuvendi do zgjedhë dy kandidatura sot. Ky është një lajm i mirë sepse sot do kemi pesë anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Ky është viti im i katërmbëdhjetë në këtë sallë dhe këtu duhet folur troç, jo me maska. Presidenti i Republikës bën mirë të heqë maskën dhe të dalë të flaës troç sepse ai nuk ka hallin e afatit. Presidenti i Republikës ka ngulmuar që lista nga KED ti shkojë me katër vetë sepse ka parë që e katërta e renditur është një person tek i cili ai ka besim.

Presidenti i Republikës kërkon të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e Enkelejd Alibeajt.

Presidenti i Republikës nuk ka hallin e afatit kushtetues e as kriteret. Po u them të gjithë kolegëve deputetë se në aspektin kushtetues është kristal. Ky proces do t'i japë Shqipërisë Gykatën Kushtetuese funksionale dhe është në nderin e detyrën e secilit prej deputetëve të kësaj sallë ta mbështesë.

Ata që duan ta pengojnë reformën në drejtësi e kanë marrë përgjigjen.

/Ora News.tv/