“Lini lojrat e pazaret!” Ngjela komenton mesazhin e Yuri Kim: Frikën e ka tek Rama, të tjerët janë në trotuar

“Lini lojrat e pazaret!” Ngjela komenton mesazhin e Yuri Kim:

Për avokatin Spartak Ngjela, reforma në drejtësi bëhet totalisht nga ndërkombëtarët.

I pyetur për reagimin e ambasadores amerikane Yuri Kim për këtë çështje, Ngjela thotë se ajo i është adresuar të gjithë klasës politike por më së shumti frikën e ka tek kryeministri Rama.

Në analizën e mbrëmjes në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini, Ngjela shpreson tek puna e SPAK për të hetuar mbi korrupsionin në vend.

Ngjela: Ajo ju adresua të gjithëve, por frikën kryesore e ka tek Rama. Këto të tjerët nuk kanë gjë në dorë, çfarë do sabotojnë. Këta janë në trotuar, kanë vota këta? Ligji do të thotë votë. Siç duket, kjo kuptohet që Rama mund të kishte filluar të lëvizte, ose ata bën lojën e tyre diplomatike duke thënë rrini kështu siç jeni. Problemi kryesor ishte që për dy të vjetrit që kanë qenë në këtë lojë, Meta dhe Berisha kanë qenë kundra kësaj. Berisha ngriti çadër kundër reformës. Pyetja që bëhet këtu është, kush e hoqi nga çadra. Amerikani. Kjo është forca e politikave të mëdha. Reforma nuk është jona. Reforma në drejtësi bëhet nga ndërkombëtarët. Janë hequr rreth 60 gjyqtarë dhe prokurorë. Të gjithë të huajt i kanë hequr. 

Reforma në drejtësi është kushti që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë. Pa të nuk hyjmë dot BE dhe pa eliminuar korrupsionin, përsëri nuk hyn dot. Politika europiane dhe ajo gjermane nuk kishte forcë që ta bënte reformën në drejtësi. Se të bësh këtë reformë duhet të rregullosh drejtësinë. Të gjithë ata që ti i kap për korrupsion, t'i lëshon gjykata. Sipas këtij koncepti, ka pasur dy faza reforma antikorrupsion. Faza e parë është reforma në drejtësi dhe pas saj e cila po shkon drejt fundit është reforma antikorrupsion.  Këtë e ka SPAK-u e cila është ngritur. Në momentet që SPAK u formua, filloi pandemia dhe ishte karantina. Tani që po hapet, SPAK-u duhet të fillojë punën antikorrupsion. 

Për avokatin Ngjela, reforma në drejtësi do të ecë me hapa të ngadalta por në fund do të përftohet drejtësia.

Tashmë pritet dhe formimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit e cila do të ngihet në muajin korrik. Për avokatin, kjo do të shënonte dhe hapin e parë drejt BE-së.

Ngjela: Është eleminuar Gjykata e Lartë edhe ajo Kushtetuese. Dolën të korruptuar. Duhet zgjedhur e keqja më e vogël. Çdo reformë ka humbje dhe dëmet e saj. Në rastin e drejtësisë ka vonesa. Do ta vuajnë shqiptarët vonesën që të përfitojnë drejtësinë, që nuk e kanë pasur asnjëherë. Ne nuk e bënim dot drejtësinë. Perëndimorët kanë më shumë besim tek magjistrat. PD-ja kur ishte në parlament e prishi ligjin që donin të hapnin ata dyert për shkollën e magjistraturës, sepse ishin kundër reformës. 

Reforma në drejtësi do të ecë ngadalë, por do të ketë prurje të reja drejt gjykatës dhe prokurorisë. Se si do t'i gjejnë aleatët tanë, e dinë vetë ata. E rëndësishme është prokuroria e posaçme dhe gjykata e posaçme të cilat janë formuar. Pritet Byroja Kombëtare e Hetimit. BKH mendohet se do të vijë brenda korrikut. Janë hetues. Po trajnohen në ShBA për hetim. Do të ketë dhe mbushje dhe nga konkurset që do të bëhen në Shqipëri. Por kryesorët do të jenë nga FBI-ja. Ata që po i përgatisin. Mazhoranca nuk goditet se ka mazhorancën e ligjeve. Pa atë nuk bëhen ligjet dhe pa ligje nuk bëhet reforma. 

Mazhoranca socialiste dhe kryeministri Rama iu nënshtruan kërkesës amerikane. Reforma bëhet për hyrjen e vendit në BE. Por BE nuk ishte e fortë që ta bënte këtë reformë. Me atë drejtësi dhe me ekspertët perëndimor nuk mund të futet në Europë. I kërkuam ndihmë ShBA-së dhe ajo e mori përsipër sepse bota shqiptare e ballkanit perëndimor është e gjitha proamerikane dhe kështu nuk mund të kundërshtojë dot mendimin e tyre. Në korrik do shihni hapat e para.

Prej disa ditësh tashmë qarkullon një thashethem për një takim dhe një marrëveshje mes Ramës-Metës-Bashës për të vrarë reformën në drejtësi.

Por avokati e ka mohuar një takim të tillë. Ai thotë se ka një interes për të tre palët, por Rama nuk del dot kundër PS-së dhe nuk mund të dalë dot kundër politikave amerikane në Shqipëri.

Ngjela: Nuk ka mundësi të ekzistojë. Ka një interes për të tre. Por Rama nuk ka qenë dakord për reformën në drejtësi por nuk del dot kundër PS. PS e ka provuar njëherë se çfarë do të thotë të jesh antiamerikan. Në vitet 92-96 ata dolën kundër Amerikës, dhe e dinë ata se çfarë u ndodhi. Rama u deklaroi se nuk mund të hyjë në tryezën tuaj pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Pra u prish tryeza sepse ndërkombëtarët nuk pranojnë. Unë e di se çfarë do të thotë të jesh nën akuzë. Do të shkojmë një proces se Shqipëria do të shkatërrohet.

Avokati shprehet i bindur për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit e cila do të kalojë në "sitë" të gjithë klasën politike duke filluar nga muaji korrik.

Ngjela:  Mbaje mend këtë. Nga korriku e deri në shtator do të shikoni që asnjë i thirrur për listat e kryetarëve të partive të mëdha në zgjedhjet e 2021 nuk do pranohet të jenë në listat e tyre. Sepse do të jenë nën akuzë. Kjo do të jetë në Shqipëri. Varfëria jonë që vjen nga njerëz të korruptuar sepse kanë prishur konkurencën në treg, kanë shkatërruar gjithë ekonominë shqiptare. Gjendja është e rëndë dhe nëse nuk e luftojmë dot. Do ta shikojmë hap pas hapi. 

EMISIONET