Në automjetin  e përdorur në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, janë gjetur prova të rëndësishme që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Gazetari i RTV Ora, Besar Bajraktaraj, raporton se bëhet fjalë për gjurmë gishtërinjsh të cilat janë gjetur në pjesë të makinës por edhe fije floku në njërën prej dy maska që autorët kishin lënë në makinë.

"Këto prova konsiderohen nga grupi hetiomor mjaft të vlefshme dhe kanë besim që do të çojnë në zbardhjen e identitetit të autorëve. Nga grupi hetimor po hetohet edhe nëse kemi të bëjmë me një rreng të autorëve, ku mund ti kenë lënë qëllimisht këto prova në mjet. Prokuroria e Krimeve të Rënda po pret dhe ekspertizën e policisë shkencore për një rezultat final për këto prova", raportoi Bajraktaraj.

Mësohet se targat e vendosura në automjetin e përdorur në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj janë vjedhur një javë më parë në Tiranë. Shoferja kishte bërë denoncimin në polici por efektivët nuk ranë në gjurmët e hajdutëve.

Ndërkohë provat e gjetura në këtë automjet konsiderohen tepër e rëndësishme për hetimin, dhe po analizohen në laboratorin e policisë shkencore. 

Policia ka shoqëruar deri tani mbi 40 persona për ti pyetur për ngjarjen, ndërsa gjendje shëndetësore e 3 të plagosurve është më e stabilizuar. 

Prokurori i Durrësit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho, qëndrojnë në spitalin e Durrësit që prej pasdites të së premtes. Fraktura që prokurori Ndoj ka pësuar në shpatull sipas mjekëve kërkon ende kujdesin e tyre, duke u mbajtur në terapi intensive në pavijonin e Ortopedisë.

Ndërsa Aleksandër Laho qëndron në pavijonin e kirurgjisë pasi nga plumbi i marrë i ka shkaktuar dëmtime të nofullës.

/Ora News.tv/