Fajdet në Shkodër, arrestohet në Paraguai djali i ish-prefektit të Shkodrës

Fajdet në Shkodër, arrestohet në Paraguai djali i ish-prefektit

Shtatë muaj pas shpalljes në kërkim është arrestuar në Paraguai Elton Radovani, djali i ish –prefektit të Shkodrës Paulin Radovani. Ky i fundit së bashku me dy djemtë që janë arratisur nga Shqipëria, akuzohet se në bashkëpunim me 12 persona të tjerë kanë ngritur një skemë huamarrjesh të bazuar mbi mashtrimin duke u marrë dhjetëra qytetarëve borxhe me interes 20 për qind. Gjatë aktivitetit kriminal sipas prokurorisë të pandehurit kanë dëmtuar dhjetëra familje e biznese në Shkodër.

Njëri nga djemtë e ish prefektit të Shkodrës është arrestuar nga policia në Paraguai shtatë muaj pasi u shpall në kërkim me akuzën e implikimit në një skemë piramidale në Shqipëri.

Elton Radovani, djali i Paulin Radovanit është vendosur në dispozicion të zyrës së Interpolit në Paraguaj me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Policia vendase e kishte lokalizuar të kërkuarin bazuar në të dhënat e përcjella nga Interpoli në lidhje me akuzat për mashtrime të mëdha financiare nëpërmjet një skeme të huamarrjes në shuma të mëdha në Shkodër.

Mësohet se Elton Radovani ka rënë në pranga në datën 3 tetor pas kontrollit të kryer ndaj tij nga policia në një autostradë.

Në prill të këtij viti gjykata e Apelit në Shkodër konfirmoi masat e arrestit në mungesë ndaj Elton Radovanit dhe vëllait të tij Robertit ndërsa në detyrim paraqitje u la ish prefekti i këtij qarku Paulin Radovani të cilit iu ndalua dalja jashtë shtetit përmes bllokimit të pasaportës.

Djemtë e ish prefektit ishin larguar nga Shqipëria duke kaluar fillimisht në Mal të Zio e më pas kanë humbur gjurmët. Sipas prokurorisë së Shkodrës, tre anëtarët e familjes Radovani akuzohen se me anë të mashtrimit, u kanë marrë paratë shtetasve të ndryshëm në Shkodër dhe nuk ua kanë kthyer.

Në dhjetor të vitit 2018 ish prefekti I Shkodrës Paulin Radovani denoncoi në policinë e shtetit kërcënimet që po merrte nga personat të cilëve djemtë e tij u kishin marrë para borxh. Policia mori në mbrojtje Radovanin por më pas filloi hetimet ndaj tij dhe djemve pasi u zbulua se ata kishin ngritur një skemë fajdesh në Shkodër duke marrë shuma të mëdha borxhesh me interes 20 për qind të cilat më pas nuk I kthenin. Ai anëtarë të grupit të fajdexhinjve në kryeqendrën e veriut janë proceduar 12 persona, mes të cilëve rezultojnë të përfshirë noterë, avokatë dhe një efektiv i policisë.

Arrestimet pas dy muaj përgjimesh - Policia vendosi në pranga 12 persona dhe sekuestroi shuma parash dhe automjete. 

Në grupin e fajdexhinjve në kryeqendrën e veriut, rezultojnë të jenë përfshirë noterë, avokatë dhe një efektiv i policisë.

Operacioni i koduar "Maranaj" u ndërmor në  orët e para të mëngjesit, të 14 marsit, kur forcat Speciale nga Tirana  zbarkuan në Shkodër në një aksion blitz dhe 11 persona u vunë në pranga  gjatë kontrollit në 22 banesa. Një tjetër u kap teksa tentoi të  arratiset drejt Kosovës.

EMISIONET