Policia ka arrestuar në Rinas Beqo Brahimin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha në Lazarat gjatë operacionit anti drogë në qershor 2015.

30-vjeçari i ishte shpallur në kërkim për kultivim kanabisi, ndërsa Gjykata e ka dënuar në mungesë me 8 vite burg si pjesë e grupit të ‘Lazaratit’.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ai u arrestua pas informacionit të marrë se po kthehej me avion nga Belgjika në Tiranë.

"Në orët e mbrëmjes, Policia Kufitare e Rinasit, pas informacionit të marrë nga Zyra Qëndrore Interpol Tirana, se një i kërkuar për  veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve po vinte me avjon nga Belgjika për në Rinas dhe aty mund të prezantohej me dokumenta të falsifikuara, menjëherë në momentin e zbritjes nga avioni  bëri arrestimin  e shtetasit shqiptar B.B., 30 vjeç, lindur  në Gjirokastër", sqaron policia.

Grupi prej pesë anëtarësh u dënua nga Krimet e Rënda me një total prej 52 vitesh burg.

Mes tyre spikat emri  i Arbion Alikos, i cili u dënua me 13 vite heqje lirie për kundërshtim me armë të operacionit të policisë në fshatin që dikur ishte bastion kultivimit masiv të kanabisit.

Përveç Alikos, gjykata dënoi me 11 vjet Gurgaz Skënderin, ndërkohë që për Enrik Skenderin dhe Alfred Prokon u dhanë nga 10 vjet heqje lirie dhe 8 vjet për të akuzuarin Beqo Brahimi.


Për t’u bërë pjesë e grupit "RTV Ora dhe Ora News" klikoni: "Join Group". Kërkesa juaj do të aprovohet menjëherë.

/Ora News.tv/