Një bombë në zemrën e  krishtërimit, në Katedralen e  Shën Pietrit në Vatikan, në natën e Krishtlindjeve.

Ky ishte plani i një atentati terrorist që po organizonte një shtetas somalez me banim në qytetin e Barit në Itali.

Mohsin Ibrahim Omar, me një emër të dytë Anas Khalil dhe i njohur në rrjetet sociale me emrin Jusuf, është arrestuar nga antiterrorizmi italian pas një hetimi gati 1-vjeçar.

I radikalizuar në shkollën e islamizmit në Nairobi, 20 vjeçari është emigrant me leje të rregullt qëndrimi në Itali dhe punonte në një kooperativë pastrimi.

Në përgjimet telefonike, ambientale e në internet Mohsin Ibrahim Omar shprehet se "duhen vënë bomba në të gjitha kishat në Itali".

"Kisha më e madhe ku është? Në Romë?"-pyet ai.

Mohsin Ibrahim Omar po organizonte një sulm terrorist  në katedralen e  Shën Pietrit në Vatikan.

"Ditën e Krishtlindjeve, është më mirë,"-shprehet ai. "Pasi të ketë ardhur Papa dhe është mbushur plot e plot me njerëz."

Pas sulmit terrorist në Strasburg, pak ditë më parë, ku mbetën viktimë 5 persona, Mohsin Ibrahim Omar, në internet shprehej i gëzuar: "Ata që vrasin armiqtë e Allahut janë vëllezërit tanë."

Somalezi ka mbërritur në Itali në nëntor të 2016. Ai ishte nën vëzhgimin e antiterrorizmit italian e të shërbimeve të inteligjencës i konsideruar si muhaxhedin, militant i ISIS, anëtar i një grupimi të armatosur që luftoi në Somali e Libi.

Në rrjetet sociale, Mohsin Ibrahim Omar shpërndante kopje të "Al-Naba", revistës propagandistike të sulmeve të ISIS.

"Kush vritet për Allah nuk vdes kurrë,"-shkruante ai në profilet në rrjetet sociale.

Pas arrestimit, para autoriteteve italiane të drejtësisë 20 vjeçari është shprehur se nuk është një terrorist por "kur e kërkon Zoti e i shërben kauzës, duhen kryer vrasje".

Ndaj këtij fakti ka reaguar dhe Ministria e Brendshme italiane, e cila ka informuar se rreth 30 mijë forca të rendit do të patrullojnë territorin italian në këtë periudhë festive e deri në 6 janar me një vëmendje të veçantë mbikëqyrjeje ndaj objekteve strategjike si seli diplomatike, institucionale, historike, fetare, stacione hekurudhore, porte e aeroporte.

/Ora News.tv/