Rreth 24 orë pas shmangies së tentativës për të trafikuar drejt Italisë 1.3 tonë drogë në grykëderdhjen e Vjosës, policia thotë se ka vënë në pranga dy autorët. Të arrestuarit mësohet se janë dy vlonjatë, që përdorën për trafik një gomone të fuqishme të paregjistruar në Shqipëri. Hetimet vijojnë edhe në qytete të tjera.

Vlorë- Arrestohen dy autorët e dyshuar të tentativës së trafikimit drejt Italisë të 1.3 tonëve kanabis sativa të sekuestruar mëngjesin e së martës (22 janar 2019) së bashku me një gomone në grykëderdhjen e Vjosës.

Të arrestuarit janë dy të rinj me inciale A. A., 39 vjeç dhe E. Xh., 33 vjeç.

Emrat e plotë nuk bëhen të ditura për shkak të sekretit hetimor, por Ora News mëson se ata janë nga Vlora.

24 orë pas shmangies së tentativës në det, agjensitë ligjzabtuese shqiptare në bashkëpunim me njëra-tjetrën thonë se kanë arritur të dokumentojnë veprimtarinë dhe paralajmërojnë arrestime të tjera.

Dy vlonjatët janë poseduesit e lëndës narkotike që do trafikohej me gomone drej Italisë.

Gomonia u evidentua në det dhe gjatë ndjekjes nga Policia Kufitare dhe Guardia Di Financa trafikantët u detyruan të kthehen në grykëderdhjen e Vjosës, aty ku braktisën mjetin lundrues dhe u fshehën në zonën e pyllëzuar.

Policia veç drogës dhe gomones, sekuestroi edhe dy mjete mbi bazën e të cilëve ka arritur tek autorët e trafikut.

Gomone e paregjistruar-  Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor thanë se gomonia nuk rezulton e regjistruar as në Shqipëri dhe as në Itali ku janë bërë verifikime.

Mbi këto të dhëna, por edhe për faktin se ishte e pajisur me dy motorë të fuqishëm, gomonia ishte e destinuar vetëm për trafik.

Operacioni i koduar Vjosa ndërkohë vijon edhe gjatë ditës së mërkurë në Vlorë, Lezhë dhe Elbasan, ndërsa burime pranë grupit hetimor thanë se priten arrestime të tjera si pjesë e grupit kriminal që tëntoi trafikimin e drogës drejt Italisë


/Ora News.tv/