"Arratisja" e Kërçikut nga hoteli i Bylisit, zbulohet mesazhi me presidentin Kapllanaj

"Arratisja" e Kërçikut nga hoteli i Bylisit, zbulohet

Dorian Kërçiku është padyshim futbollisti më i përfolur në ambientet sportive. Futbollisti 26-vjeçar vendosi të firmos me Partizanin, duke "tradhëtuar" kështu Bylisin.

Ballshiotët kishin arritur akordin me ish futbollistin e Tiranës në pjesën e parë të sezonit, por një sekond prishi gjithçka. Partizani i ofroi kontratën që bindi mbrojtësin. Ndërkohë, është zbuluar edhe mesazhi që Kërçiku i ka dërguar presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj.

Burime për "Ora News" bëjnë me dije se Kërçiku ka bërë "divorc" me Bylisin përmes një mesazhi në telefonin e Kapllanaj, ku i kërkonte falje, por nuk kishte se çfarë të bënte, duke braktisur hotelin për tu prezantuar në Tiranë te Partizani.

"President, më fal shumë. Të kërkoj ndjesë dhe s'kam ftyrë me të dal para, po ashtu më erdhi halli. Kam disa probleme në familje. Më kërkuan dhe ca ekipe në Tiranë dhe do të rri këtu, po s'është kjo arsyeja e vetme. Më kanë marrë në shtëpi dhe më kanë kërku me u kthy. 100 herë më fal por nuk kam çfarë bëj. Jam duke marrë çantën dhe po kthehem për në Tiranë. Ma bo hallall!," ishte mesazhi i Kërçikut.

Kërçiku luajti për Tiranën në pjesën e parë të sezonit, duke e mbyllur me bardheblutë në fundin e vitit të shkuar. Ndërkohë, në ditët e para të janarit kishte akord me Bylisin, ku doli edhe në stërvitje, ndërsa që tashmë do të luaj me Partizanin.

EMISIONET