Arabia Saudite do të trefishojë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), si pjesë e masave shtrënguese për të mbështetur ekonominë e saj të goditur nga Covid-19.

Kombi i pasur me naftë ka pasur ulje të të ardhurave pasi ndikimi i pandemisë ka ulur çmimet globale të energjisë, shkruan BBC.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Arabisë Saudite tha se TVSH-ja do të rritet nga 5% në 15% që nga 1 korriku.

"Këto masa janë të dhimbshme, por të domosdoshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe ekonomik afat të mesëm dhe afat gjatë dhe për të kapërcyer krizën e koronavirusit me dëmin më të vogël të mundshëm," tha Ministri i Financave, Mohamed al-Jadaan në një deklaratë.

Njoftimi erdhi pasi shpenzimet shtetërore tejkaluan të ardhurat, duke krujuar një deficit në buxhet prej 9 miliardë dollarësh në tre muajt e parë të vitit.

Kjo pasi të ardhurat nga nafta në këtë periudhë ranë në 34 miliardë dollarë, duke zbritur të ardhurat totale me 22%.

Në të njëjtën kohë, banka qendrore e Arabisë Saudite deklaroi se rezervat e saj të huaja po uleshin në mars në normën e tyre më të shpejtë në të paktën dy dekada dhe në nivelin e tyre më të ulët që nga viti 2011.

Deri më tani në Arabinë Saudite janë shënuar 246 viktima dhe janë regjistruar 39,048 të infektuar.

/Ora News.tv/