Me tre vota kundër dhe dy pro, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka rrëzuar projektligjin e ri të qeverisë për median online, pjesë e paketës antishpifje. Nëpërmjet një deklarate për shtyp sqarohet se nisma e Ministrisë së Drejtësisë ndrydh lirinë dhe zhvillimin e medias informative online dhe bie ndesh me parimin e vetërregullimit të medias.

“Propozimet e qeverisë ndrydhin lirinë dhe zhvillimin e medias informative online. Propozimet e qeverisë anashkalojnë një nga parimet më të rëndësishme të medias së shkruar atë të vetërregullimit ndërkohë që aktet ndërkombëtare dhe veçmas direktiva e BE për mediat audiovizive inkurajon edhe vetë rregullatorët ti japin përparësi këtij parimi.”

Tre anëtarët e AMA-s, paraqitën argumente që lidheshin me nevojën për forcimin e lirisë së mediave online, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim përmes rritjes së profesionalizmit, mbështetjes së mediave të reja, vetërregullimit të tyre, rritjes së edukimit për median.

Projekligjin e kundërshtoi hapur OSBE dhe KE, por qeveria e riktheu të në Kuvend për votim pa ndryshime thelbësore duke injoruar alarmin e tyre për rrezikun që i kanosej medias. 

Drafti i jepte AMA-s atributet e një gjykate duke i dhënë të drejtë gjobitjeje, madje dhe bllokimi.

/Ora News.tv/