Një anije turistike tashmë do të lidh Pogradecin me Ohrin dhe Strugën. 4 vite pas nënshkrimit, marrëveshja do të funksionojë dhe për palën shqiptare. Me një kapacitet prej 150 vendesh anija do të lundrojë përgjatë vijës liqenore nga Pogradeci drejt Maqedonisë së Veriut.

Me Ohrin tashmë nuk do të lidhemi vetëm përmes rrugës, por edhe liqenit.

Një anije me kapacitet prej 150 vendesh ka mbërritur në Pogradec dhe do të lundrojë përgjatë vijës liqenore nga Pogradeci drejt Maqedonisë së Veriut.

Kjo anije turistike shihet nga përfaqësuesit e Bashkisë Pogradec si një mundësi e mirë për ti dhënë tjetër zhvillim turizmit.

Paskalino Ziko: Ky operator që të niset nga brigjet shqiptare i ka munguar këtij qyteti për të rritur cilësinë e turizmit dhe për t'i dhënë një tjetër standard turistëve vendas edhe të huaj që do të frekuentojnë qytetin e Pogradecit.

Marrëveshja e nënshkruar disa vite më parë funksiononte vetëm për Maqedoninë e Veriut, ndërsa tani pjesë e kësaj eksperience mund të bëhen edhe turistët shqiptarë.

Paskalino Ziko: Ka rreth 150 vende të ulura. Gjithashtu ofron edhe mundësi për ambiente bari, restoranti, që turistët do kenë mundësi të kalojnë një periudhë jo vetëm udhëtimi, por edhe argëtimi.

Anija turistike do të nis lundrimet në pranverën e vitit të ardhshëm.

/Ora News.tv/