“Të paprekshme” kështu i ka quajtur analisti Ben Andoni një pjesë të premtimeve të kreut të VetëVendosjes, Albin Kurti.

I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Andoni e vuri theksin tek vështirësia e krijimit të Fondit të Zhvillimit.

Sipas tij më parë ky fond ka shkuar për militatët e partive dhe nuk është çudi  që të fillojë spastrimi dhe të mbushet sërish me militantë.

Gazetarja: Premtimet e Albin Kurtit sa të prekshme i shihni?

Ben Andoni: Një pjesë nuk janë të prekshme. Gjëja më e vështirë është krijimi i fondit të zhvillimit, që ai mendon se do e bëjë deri në fund të mandatit. Është një fond special që do merret me menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe që deri tani janë nepotike sepse partitë i kanë përdorur për militantët e tyre dhe nuk është çudi që ato të fillojnë të spastrohen dhe të mbushen nga militantë të rinj. Por problemi më i madh në këtë fond është që Kurti beson shumë në thirrjen e personazheve shumë të njohura të Kosovës që punojnë në Diasporë. 

Kjo është parë shumë me mëdyshje në Kosovë. Është e pamundur që të bindësh një njeri, që ka investuar në një vend të huaj të lëri këtë karrierë për hir të një lloj idealizmi në Kosovë. Kjo gjë kërkon siguri, që për hir të së vërtetës shteti i Kosovës nuk ia jep. Nga ana tjetër është edhe përballja e Kurtit me të ardhmen e simbolikës së Kosovës, por edhe me qasjen e tij për identitetin e Kosovës dhe se si do ta drejtojë të gjithë shtetin për marrjen e vizave. Procesi është jashtëzakonisht i vështirë.

/Ora News.tv/