Ambasada e SHBA-ve në Kosovë shpreh zhgënjimin për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL pas votimit në dy raunde të Asmablesë së Përgjithshme të kësaj organizate.

“Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës ku shtohet se Policia e Kosovës është institucion plotësisht i aftë që ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore, njofton Klan Kosova.

Ambasada thotë se anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL "nuk do të thotë pranim i pavarësisë së Kosovës, por forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan dhe se me këtë rezultat do të humbasim të gjithë."

“Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet t’i shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit. Për ta arritur këtë, i nxisim të dy vendet që ti shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie”, mbyllet deklarata e Ambasada amerikane.


/Ora News.tv/