Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Policia ndërhyri me armë zjarri dhe gaz lotsjellës duke dhunuar protestuesit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Policia ndërhyri me armë zjarri

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Aleanca ka deklaruar se sot, në orët e para të mëngjesit kulmoi krimi institucional në mes të Tiranës, pas një kalvari shkeljesh ligjore dhe kushtetuese.

Sipas aleancës, policia ka ndërhyrë me gaz lotjsjellës dhe me armë zjarri duke dhunuar e arrestuar shumë prej protestuesve.

Deklarata e plotë

''Të gjithë për Teatrin, Teatri për të gjithë!

Sot, në orët e para të mëngjesit kulmoi krimi institucional në mes të Tiranës, pas një kalvari shkeljesh ligjore dhe kushtetuese. Qindra forca policore u futën dhunshëm në hapësirat e Teatrit Kombëtar për të larguar qytetarët që kanë qëndruar 27 muaj në mbrojtje të këtij kompleksi ndërtimor pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe evropiane. Me armë zjarri automatike, me sprej piperi dhe me gaz lotsjellës policia ka ndërhyrë duke dhunuar e arrestuar shumë prej protestuesëve.

Kërkojmë njëzëri lirimin e të gjithë qytetarëve të arrestuar. Njëkohësisht i kujtojmë publikut të gjerë se kompleksi i Teatrit Kombëtar është dokumentuar në çdo centimetër në dosjen e dorëzuar pranë organizatës "Europa Nostra" që e ka shpallur muajin e kaluar Teatrin Kombëtar si vlerë e përbashkët evropiane.

Në këto raste qytetarët ngrihen në këmbë e bashkohen aty ku vazhdon qëndresa, aty ku do ndërtojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës: te Teatri.

Protesta e qytetarëve kundër dhunës dhe arrogancës vazhdon.

17 maj 2020

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

NISMA Thurrje

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri

ResPublika

Rrjeti ASAN''

EMISIONET