Ministria e Kulturës ka hartuar së fundmi katalogun “Albanian Books”, i cili përbëhet nga 32 autorë. Lajmin e bën të ditur vetë MK-ja në adresën e saj zyrtare në internet ku thekson se shpresohet që ky katalog të pasohet nga katalogët e përvitshëm që do të përmbajnë titujt më të mirë të vitit të sugjeruar për përkthimin dhe botimin jashtë vendit. Sakaq MK sqaron se në hartimin e këtij katalogu prej 32 autorësh të përgatitur nga Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit, janë mbajtur parasysh disa kritere. “Janë përzgjedhur autorë me krijimtari të pasur pas viteve ’90 vepra e të cilëve është vlerësuar nga kritika, janë nderuar me çmime apo janë ndjekur nga lexuesi vendas si Luljeta Lleshanaku, Arian Leka, Agron Tufa, Ardian Kyçyku, Ridvan Dibra, Arben Dedja, etj. Po kështu janë përzgjedhur edhe autorë të afirmuar që para viteve ’90, të cilët janë ende aktivë në fushën e letrave si: Zija Çela, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj etj” sqaron MK. “Në serinë e këtyre autorëve prodhimtarë e të vlerësuar në këto 25 vjet mungojnë disa nga emrat më të njohur të letrave shqipe si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Xhevair Spahiu, Moikom Zeqo, Ben Blushi e të tjerë, përfshirja e të cilëve nuk u gjykua e domosdoshme, duke qenë se autorëve të mësipërm u është dhënë tashmë mundësia të përkthehen dhe të botohen në shumë gjuhë”, vijon informacioni i MK-së. Në mungesë të agjencive letrare që mbulojnë këtë veprimtari, Ministria e Kulturës vendosi të hartojë këtë katalog (me të njëjtin titull me faqen e re të internetit kushtuar letërsisë shqipe “Albanian Books”). Vështirësia për përkthimin në kohë të materialeve letrare ka lënë jashtë katalogut dhe shumë shkrimtarë të tjerë të denjë për t’u përfshirë, si Rudolf Marku apo Lindita Arapi, informacioni mbi të cilët do të vijojë në botimet e ardhshme kataloguese. Seria e veprave të paraqitura në këtë katalog dëshmon për një letërsi shqiptare të begatë dhe për autorë të konsoliduar në krijimtarinë e tyre. Marrë nga: ATSH

/Ora News.tv/