Alarmi i OKB: Në Itali dhunë e racizëm

Alarmi i OKB: Në Itali dhunë e racizëm

Organizata e Kombeve të Bashkuara OKB, ka lëshuar sot alarmin se në Itali ka një rritje  të fenomenit të dhunës e racizmit kundër emigrantëve dhe personave të pakicave etnike.

Ka qenë komisionerja e lartë e OKB Michelle Bachelet e cila gjatë nisjes së punimeve të këshillit të OKB për të drejtat njerëzore, mbajtur sot  në Gjenevë, ka deklaruar se "OKB ka ndërmend të dërgoj një ekip pune në Itali për të vlerësuar në terren rritjen e raportuar të akteve të dhunës dhe racizmit ndaj emigrantëve dhe pakicave të tjera etnike siç janë ato rome.

Duke iu referuar masave shtrënguese në politikat e emigracionit, të ndërmarra nga ministri i brendshme Matteo Salvini, Komisionerja e Lartë e OKB, Michelle Bachelet ka theksuar se "qeveria italiane u ka mohuar hyrjen në portet e saj, anijeve të shpëtimti të organizatave humanitare e një sjellje e tillë politike, pasuar dhe nga zhvillimet e fundit, ka shkaktuar pasuesja shkatërruese për mjaft persona në nevojë."

Sipas komisioneres së OKB edhe pse më 2018 numri i emigrantëve që kapërcejnë Mesdheun është ulur, shkalla e vdekshmërisë së tyre gjatë 6 muajve të parë të 2018 është më e lartë se e viteve të shkuara.

"Është në interes të çdo vendi të adoptoj politika migruese që ofrojnë lëvizje të sigurt e të rregullt, pa mbjellë panik e pa detyruar njerëzit të kryejnë aksione me rrezik vdekjen", ka thënë Michelle Bachelet .

Ndaj deklaratës së komsioneres së OKB ka reaguar dhe Ministri i brendshëm italian Matteo Salvini, i cili është shprehur se "Italia nuk pranon të marr leksione nga askush e aq më tepër nga OKB që po provon se është e paragjykuar dhe e painformuar, pasi raportet e Ministrisë së Brendshme italiane mohojnë alarmet e rrezikut racist në Itali."

Madje Ministri i Brendshëm italian Salvini, sulmon OKB duke i kërkuar " të hetoj vendet e tjera anëtare të saj, ku injorohen të drejta themelore sic është liria dhe barazia mes burrit dhe gruas.

"Italia, tha Salvini ka strehuar mbi 700 mijë emigrantë gjatë viteve të fundit, e nuk ka pasur  bashkëpunimin e vendeve të tjera evropiane."

EMISIONET