Partia Demokratike ka vendosur të mbrojë demokracinë me qytetarët në të 61 bashkitë e vendit. Pas vendimit të fundit të Presidentit të Republikës Ilir Meta, kryetari i PD-së Lulzim Basha mblodhi aleatët dhe më pas kryesinë e partisë.

Pas diskutimeve kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PDSH-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.

Kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

Më herët kryetari Lulzim Basha bëri të qartë se opozita nuk do të tërhiqet deri në largimin e Ramës, ndërsa e ka konsideruar blof nismën e PS për shkarkimin e presidentit.  

Basha:  Dua të them që në fillim dy të vërteta: Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor. Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës.  Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj.  Përpjekjet e mia, përpjekjet e Partisë Demokratike nuk janë përpjekje për pazare tavolinash apo negociata datash. Beteja jonë është betejë për lirinë e votës.

Edhe aleati i PD-së Fatmir Mediu shprehur vendosmërinë për t'i shkuar deri në fund aksionit të nisur.

Mediu: Qytetarët do të qëndrojnë deri në fund për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe çdo veprim që do të ketë të bëjë me qytetarët, i opozitës, me ndërkombëtarët për të garantuar këtë proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm do të jetë pjesë e axhendës së opozitës.

Gjatë ditës së martë, kryedemokrati Lulzim Basha pritet të mbledhë ish-grupin parlamentar e Kolegjin e Kryetarëve për të diskutuar për qëndrimet e mëtejshme.

/Ora News.tv/