Aksion si në filma, policia ndjek për rreth 1 orë 18-vjeçarin me makinë

Aksion si në filma, policia ndjek për rreth 1 orë

Me një aksion si nëpër filma, Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar një 18-vjeçar, i cili sapo kishte marrë patentën.

Policia thotë i është dhënë shenjë ndalimi për shkelje të semaforit një automjeti në bulevardin “Gjergj Fishta”, me drejtues shetasin V. H., i cili jo vetëm nuk i është bindur sinjalit “Ndal” të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë, duke rrezikuar patrullat e Policisë që e ndiqnin, si dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.

"Patrullat e ndoqën përreth 1 orë drejtuesin e mjetit në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, deri sa arritën ta ndalonin dhe arrestonin atë në kushtet e flagrancës, vetëm pasi bllokuan të gjithë rrugën me një kamion në periferi të kryeqytetit. Arrestimi, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, pasi nga kontrolli në automjetin e 18-vjeçarit me iniciale V. H, i cili kishte vetëm 24 orë që kishte fituar të drejtën për të drejtuar automjetin, u gjetën disa sisteme shtesë pamore, të ngjashme me ato që përdorin mjetet e uniformuara të Policisë, si dhe shenja e simbole të ndryshme të Policisë së Shtetit", thuhet në njoftim.

Po ashtu policia ka arrestuar  një 38-vjeçar me iniciale F. K., i cili u konstatua duke drejtuar një autobus për transport pasagjerësh me leje drejtimi të falsifikuar dhe nga verifikimi rezultoi i papajisur me leje drejtimi.

Ndërkohë, vijojnë patrullimet dhe kontrollet pa ndërprerje për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe ata drejtojnë mjetet pas përdorimit të alkoolit.

Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 4 drejtues mjetesh, nga të cilët 2 në gjendje të dehur dhe 2 të papajisur me leje drejtimi, si dhe janë pezulluar 33 leje drejtimi, nga të cilat 25 për shpejëtsi mbi normat e lejuara, 7 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 1 për mosbindje ndaj shenjës “Ndal” të Policisë.

EMISIONET