Aksidentoi për vdekje 8-vjeçarin, arrestohet 66-vjeçari në Durrës

Aksidentoi për vdekje 8-vjeçarin, arrestohet 66-vjeçari

Një fëmijë 8-vjeçar mbeti i vdekur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Durrës pasditen e të hënës. Policia tha se ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e furgonit, shtetasin me iniciale Q.N.,66 vjeç, banues në Sukth, pasi rreth orës 16:05, në fshatin Jubë, duke drejtuar mjetin fugon, ka aksidentuar fëmijën 8 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë.

Si pasojë e goditjes nga furgoni, fëmija ka ndërruar jetë ndërkohë që policia filloi çështjen penale ndaj autorit të ngjarjes me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

Ndërkohë në orët e pasdites një 62 vjeçar që po transportohej me ambulancë nga Saranda drejt Tiranës, humbi jetën si pasojë e aksidentit në rrugën Fier-Lushnje.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.20 ndërkohë që viktimë ka mbetur 62 vjeçari Nebi Marku.

Në afërsi të Pushimit të Shoferit në autostradën Fier-Lushnje ambulanca humbi drejtimin dhe u përmbys.

Përveç pacientit që ka humbur jetën nga aksidenti kanë marrë dëmtime, shoferi, infermierja dhe djali i viktimës, të cilët u dërguan në spital jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht dyshohet se ambulanca u përplas me barrierat anësore gjatë parakalimit me një mjet tjetër.

Ndërkohë më herët në Dibër ka ndodhur një tjetër aksident me pasojë plagosjen e një 30-vjecari.

Motori që drejtohej nga i riu i cili po udhëtonte nga lagjia e vjetër në lagjen e re të qytetit të Bulqizës është përplasur me një shtyllë ndriçimi.

Goditja ka qenë shumë e fortë duke shembur shtyllën, ndërsa ka copëtuar edhe mjetin motorik.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se 30 vjeçari me inicialet B.Ll ka fluturuar në ajër e më pas është përplasur me asfaltin.

Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Bulqizës nga kalimtarë të rastit ku mori ndihmën e shpejtë, më pas u transportua në gjendje të rëndë me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë.

EMISIONET