Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, 2 të vdekur e 3 të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Rrugën e Kombit, duke lënë pas dy persona të vdekur dhe tre të tjerë të plagosur rëndë.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e mjeteve, përkatësisht shtetasit Myftar Kovaçi, 53 vjeç, banues në Has dhe Jak Syla 62 vjeç, banues në Fushë Arrëz.

Personat e plagosur pasi kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Rrëshenit janë dërguar me urgjencë në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë.

"Për pasojë kanë humbur jetën 2 drejtuesit e mjeteve, si dhe janë plagosur 3 shtetase ( pasagjere te mjeti Benz), N.K. dhe F.K. janë transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë me helikopter, ndërsa shtetësia L.D. u transportua për në spitalin e Traumës me ambulancë", sqaron policia lokale.

Aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Fang të Rubikut, ku një mjet tip "Volkswagen" është përplasur me një mjet tip "Benz".

Përplasja ka qenë e fortë, duke sjellë dëmtimin e plotë të mjeteve, ndërsa për nxjerrjen e trupave të viktimave është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve. 

Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se shkak për aksidentin është bërë parakalimi gabuar i mjetit tip Volkswagen, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Milotit, çka solli dhe përplasjen fatale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.


EMISIONET