Airbnb, kompania që menaxhon dhënien e pronave me qira, njoftoi se do të heqë nga website i saj të gjitha shtëpitë që ndodhen në territoret e pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor.

 Izraeli reagoi menjëherë dhe e quajti lëvizjen bojkotuese si një “kapitullim të mjerë” ndërsa palestinezët e mbështetën vendimin dhe e konsideruan një hap drejt paqes.

Sipas Airbnb-së, ky vendim që prek rreth 200 prona, do të hyjë në fuqi në ditët në vijim.

Izraeli pushtoi bregun Perëndimor  në luftën e vitit 1967. Vendbanimet në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme nga shumica e fuqive botërore.

Palestinezët i konsiderojnë vendbanimet dhe forcat ushtarake që i mbrojnë ato, si pengesë për krijimin e shtetit të tyre të pavarur.

"Ne arritëm në përfundimin se duhet t’i heqim të gjitha pronat që ndodhen në vendbanimet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, që janë në thelb e mosmarrëveshjes mes izraelitëve dhe palestinezëve", tha kompania në faqen e saj të internetit.

Palestinezët dhe mbështetësit e tyre kishin lobuar gjatë pranë Airbnb-së për të hequr pronat që ndodhen në vendbanimet hebraike.

Izraeli i kundërshtoi fuqishëm thirrjet për bojkot dhe i konsideroi ato qasje të njëanshme ndaj konfliktit.

/Ora News.tv/