Arkeologët kanë zbuluar një afresk në një dhomë gjumi të lashtë në Pompei, që përshkruan një skenë sensuale mes perëndisë romake Jupiter, të maskuar si një mjellmë, dhe një mbretëreshe legjendare të Spartës nga mitologjia Greke.

Figura e Ledës së transformuar nga Jupiteri në trajtë mjellme, ka qenë një motiv mjaft i zakonshëm i dekorimit të shtëpive në Pompei dhe Herculaneum, një tjetër qytet i shkatërruar në vitin 79 p.k nga shpërthimi vullkanik i malit Vezuv, afër Napolit të sotëm.

Drejtori i parkut arkeologjik të Pompeit, Massimo Osanna, e vlerësoi këtë afresk si të jashtëzakonshëm, pasi u pikturua për tu dukur sikur Leda sheh këdo që hyn ne dhomën e gjumit.

"Leda e shikon spektatorin me një sensualitet të theksuar," tha Osanna për agjencinë italiane të lajmeve Ansa.

Detajet e afreskut përfshijnë një përshkrim të Ledës që mbron mjellmën me mantelin e saj, ndërsa shpendi i ulet në prehër.

Osanna e lidhi kontekstin e afreskut me "mitin e dashurisë greke, me një sensualitet të qartë në një dhomë gjumi ku, padyshim përveç gjumit, mund të kishte edhe aktivitete të tjera".

Afresku, me ngjyrat e tij ende jashtëzakonisht të gjalla, u zbulua gjatë punës së vazhdueshme për të konsoliduar strukturat e qytetit antik, pasi shirat dhe erozioni shkaktuan shembje të disa gërmadhave.

Dhoma e gjumit është e pozicionuar afër një korridori pranë hyrjes së një "domusi" të pasurish, ose vile, ku u zbulua një tjeter afresk i shkëlqyer në fillim të këtij viti.

Leda është një figurë e rëndësishme në mitologjinë Greke. Legjenda thotë se ajo ka lindur fëmijë të bartur nga perëndia Zeus, versioni grek i Jupiterit dhe nga një mbret i vdekshëm i Spartës. Sipas mitit, fëmijët e saj përfshinin Helenën e bukur të Trojës dhe binjakët Castor dhe Pollux.

Osanna tha se një hipotezë ishte se pronari i shtëpisë qe një tregtar i pasur që donte të jepte përshtypjen se ishte i kultivuar, duke përfshirë afresket e frymëzuara prej mitit. Te jepet përshtypja se artisti është frymëzuar nga një skulpturë e shekullit të katërt para Krishtit te Timotheos-it, tha ai.

Për shkak të shqetësimeve për sigurinë, pjesët e pastruara të “domusit” ndoshta do të mbeten në atë gjendje, tha Ansa. Arkeologët u përpoqën t’i shkëputnin të dy afresket që gjendeshin në vilë, drejt një vendi ku "ato mund të mbrohen dhe të shfaqen para publikut", citohet të thoshte Osanna.

Gërmadhat e mbetura në kohë të Pompeit, përbëjnë një nga atraksionet kryesore turistike të Italisë.

/Ora News.tv/