Policia e Shtetit ka vazhduar me kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të abuzimit me çmimet e medikamenteve, produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, fshehjen e të ardhurave dhe punësimin e paligjshëm.

Gjatë 24 orëve të fundit janë proceduar penalisht 3 administratorë subjektesh dhe janë ndëshkuar me masë administrative 9 të tjerë.

“Në Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me strukturat e Hetimit Tatimor dhe AKU-së, ndëshkuan administrativisht 7 administratorë subjektesh. 

Janë ndëshkuar me masë administrative 50.000 lekë, 7 administratorë, konkretisht shtetasit J. P., K. B., M. Xh., K. S., P. C., M. A. dhe G. P., pasi në tregun agroushqimor, në minimarketet dhe marketet në pronësi të këtyre shtetasve janë konstatuar raste të abuzimit me listën e çmimeve, si dhe moslëshim i kuptonit tatimor.

Gjithashtu, po në Tiranë u procedua penalisht shtetasi P. Ç., për mospagim takash dhe tatimesh, si dhe fshehje të ardhurash, pasi në farmacinë e tij tregtonte medikamente pa kupon tatimor.

Në Vlorë u ndëshkuan me masë administrative 50.000 lekë secili, shtetasit M. I. dhe A. A., pasi gjatë kontrolleve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit Tatimor dhe AKU-së, në subjektet e këtyre shtetasve u konstatua se nuk lëshohej kupon tatimor.

Gjithashtu, po në Vlorë u proceduan penalisht shtetasi  M. Xh., pasi  është konstatuar duke ushtruar aktivitet tregtar të padeklaruar në institucionet përkatëse dhe shtetasi E. Gj., pasi u konstatua se ushtronte aktivitetin tregtar në mënyrë të parregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të abuzimit me çmimet dhe moslëshimin e kuptonit tatimor, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

/Ora News.tv/