Shkëputja e zinxhirit të abuzimit me çmimet e fruta perimeve, është e pamundur të realizohet përmes unifikimit të çmimit. Eksperti i ekonomisë, Sherif Bundo, thotë se ndërhyrja e vetme e qeverisë mund të zbatohet përmes autoriteteve rregullatore të tregut, ndërsa thekson se situata ka ardhur në këtë pikë për shkak të krijimit të monopoleve.

Unifikimi i çmimeve, si masë radikale e përmendur nga zëvendëskryeministri, Erjon Braçe, për të shmangur abuzimet me çmimet e fruta-perimeve, cilësohet e parealizueshme nga ekspertë të ekonomisë.

Sherif Bundo, shprehet se në ekonominë e lirë të tregut, qeveria mund të ndërhyjë vetëm përmes lëvizjes së kërkesë ofertës.

Bundo: Nuk mund të unifikohen çmimet. Në situata të veçantë shteti sigurisht që mund të teprojë me rregullime të karakterit administrativ se e lejon situata. Por tregu nuk rregullohet me rregullime të karakterit administrativ, por me kërkesë-ofertë. Shteti duhet ose të nxisë ofertën, ose të stimulojë kërkesën.

Bundo vlerëson se situata duhet të parandalohej nga autoritetet, për të mos arritur në deformim të tregut.

Bundo: Të bëjë kujdes me licencat që ka dhënë. Të mos lejojë që tregu të rregullohet nga 1, 2 apo 3 operatorë të vetëm. Shteti nuk duhet të lejojë monopolet që deri dje kanë kërdinë në ekonominë shqiptare dhe kujtohet sot sepse e sheh që efekti bumerang negativ i dominimit të kontrollit të tregut prej monopoleve sot e jep atë egërsinë më të madhe.

Gjithashtu ai shprehet se duhet të merren masa paraprake për të shmangur çrregullimet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Bundo: Sot e në vijim duhet të kemi kurajon të pranojmë se edhe shëndeti ekonomik ka qenë dhe është po kaq i domosdoshëm sa edhe shëndeti fiziologjik.

/Ora News.tv/