Krujë, fëmijët mësojnë në palestër

Krujë, fëmijët mësojnë në palestër

Fëmijët e Borizanës në Krujë po e mësojnë ABC në një palestër të përshtatur si klasë, pasi shkolla e fshatit u dëmtua nga tërmeti dhe do të shembet.  Vështirësinë këto ditë ua kanë shtuar temperaturat e ulta, pasi dy rezistenca elektrike nuk e ngrohin dot ambientin sportiv. Ndërkohë më të rriturit shkojnë çdo ditë në Thumanë për mësim, por thonë se orët i zhvillojnë të shkurtra.

Palestra e shkollës së Borizanës është kthyer në klasë.

Aty zhvillojnë mësim më të vegjëlit e shkollës e cila është përcaktuar për tu shembur.

Por kushtet nuk janë aspak të përshtatshme.

Faqet dhe duart e kuqe të nxënësve tregojnë se dy furnellat elektrike nuk e ngrohin dot të gjithë hapësirën e palestrës.

Edhe për këtë shkak, mediat nuk janë të mirëpritura në këtë ambient.

"Si i filmon kalamajtë pa lejen e prindërve, ma hiq këtë."

Nga ana tjetër prindërit janë të shqetësuar, jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies por mbi të gjitha për shëndetin e fëmijëve.

Ndërkohë 600 nxënës të tjerë nga klasa e dytë deri në vitin e tretë e ndjekin procesin mësimor në  Thumanë.

Autobusët i marrin rreth mesditës dhe sipas nxënësve i kthejnë aty rreth orës 15:00.

Në këto kushte nxënësit thotë se procesin mësimor e zhvillojnë me orë të shkurtuara.

Shkolla e mesme e Borizanës u rikonstruktua vetëm pak vite më parë me një fond prej 85 milion lekësh.

Por ndërtesa nuk i rezistoi tërmetit të 26 nëntorit dhe Kryqi i Kuq tregon se ajo do të shembet.

Deri në ndërtimin e një shkolle të re, duket se nxënësit e Borizanës nuk do ti kenë të gjitha kushtet e kërkuara për zhvillimin normale të procesit mësimor.

EMISIONET