4500 shqiptarë të ekzekutuar si kundërshtarë të regjimit komunist, mbajnë statusin e të zhdukurit pasi eshtrat e tyre nuk u gjendën kurrë. Unioni i Integrimit Mbarëkombëtar ka shpallur vitin 2018 si vitin e gjetjes së eshtrave të të zhdukurve të komunizmit.  Ndërkaq, familjarët që kanë me dekada që kërkojnë eshtrat e të afërmëve, kërkojnë strategji konkrete.

 Familjarët e personave të ekzekutuar në periudhën e sistemit diktatorial, kërkojnë nga qeveria që të hartojë një strategji, për gjetjen e eshtrave të paraardhësve të tyre që u ekzekutuan dhe prej dekadash nuk dihet se ku prehen.

Orhan Sakiç, pasardhës: Të krijojë një komision të fortë dhe të fillojë të marë dëshmi për të filluar të bëjë gërmimet e duhura. Pastaj  të marë ADN-në e pasardhësve të tyre, pasi edhe ne po ikim dhe pastaj nuk mund të bëhet gjë, me brezat e ardhshëm. Këtë të bëjë shteti.

Mes mijëra pasardhësve, është edhe Luftar Pepmarku, 72-vjeçari nga Mamurrasi, ka qenë 3-vjeç kur i ati u burgos dhe më pas u pushkatua. Ai thotë, se ka kërkuar ngado, por deri tani nuk ka mundur që të gjejë eshtrat e babait të tij.

Luftar Pepmarku, pasardhës: Më 1 qershor të vitit 1949 unë isha 3-vjeç në atë kohë. Ka bërë 11 muaj hetuesi në burgun e Burrelit, është torturuar e më pas është pushkatuar në rrethinat e burgut të Burrelit. Eshtrat e tij nuk i kam gjetur.

Në Shqipëri janë 4500 persona të cilët rezultojnë të zhdukur nga diktatura komuniste dhe numri i familjeve të cilët kanë arritur që të gjejnë eshtrat e njerëzve të tyre nuk e kalon  20% të këtij numri.

Etapa e parë ka qenë kur Enver Hoxha mori pushtetin pas vitit 1943. E dyta ka qenë në vitin 1947, kur diktatura me porosi të Titos nisi vrasjet e të gjithë kundërshtarëve. Ndërsa etapa e tretë ka qenë ajo e viteve ‘60-‘70, ku filloi goditja e të gjithë intelektualëve shqiptarë, të cilët ishin shkolluar në vendet komuniste të Lindjes.

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë ka shpallur vitin 2018, si viti i gjetjes së eshtrave të të zhdukurve.

/Ora News.tv/