Një grua meksikane, e cila së fundmi festoi ditëlindjen e 127-të mund të jetë personi më i vjetër në botë. Por ajo nuk mund ta provojë ditëlinjen, pasi ka humbur çertifikatën e lindjes dyzet vjetë më parë. Leandra Beserra, e cila besohet se është lindur në vitin 1887, jeton në qytetin Zapopan në shtetin Halisko. Ish-rrobaqepsja e kalon pothuajse gjithë ditë duke fjetur ose ulur në një karrige me rrota dhe largohet rrallë nga shtëpia. Edhe pse është pothuajse e shurdhër dhe e verbër, Beserra është ende e vetëdijshme dhe i rrëfen aventurat e së shkuarës 73 nipërve dhe mbesave dhe 55 stërnipërve dhe stërmbesave. “Ne na intereson vetëm që ajo është gjallë dhe pranë nesh. Është një model për t’u ndjekur dhe jemi shumë krenarë që e kemi mes nesh”, - tha nipi i saj, Samuel Alvear. Ajo ishte në fillim të të njëzetave gjatë revolucionit meksikan, ishte 82 vjeç kur Nil Armstrong shkeli për herë të parë në hënë dhe 113 vjeç në fillim të mijëvjeçarit të ri. Nga vitet e shkuara i kanë mbetur vetëm pak gjëra, por ndër to numërohen një lugë argjenti i mesit të shekullit XIX, dhe një kuti me kartëmonedha të vjetra. E lindur në fshatin Tula në very të shtetit Tamaulipas, besohet se çertifikata e saj e lindjes humbi kur u transferua në Halisko 40 vjet më parë. Nipi i saj, Samuel, tha se autoritetet vendore kanë hetuar në gjendjen civile për të verifikuar moshën e saj. “Na dhanë një dokument, sepse çertifikata e lindjes nuk ekziston. Dërguam këtë dokument në gjykatë dhe ata hetuan dhe në bazë të atyre që gjetën vendosën edhe moshën e saj. I bënë të gjithë ekzaminimet mjeksore dhe na dhanë çertifikatën”. Nëse dokumentet vërtetohen se janë të saktë nga ana e Organizatës së Rekordeve Guinness, atëherë Beserra do të zërë vendin e francezes Zhan Luiz Kalmen, e cila vdiq në moshën 122-vjeçare, si gruaja më e vjetër në botë. Momentalisht, personi më i vjetër në botë që është ende gjallë, është japonezja Misao Okava, 116 vjeç.

/Ora News.tv/