Kasollet me kanabis në Vlorë, 19 vjeçari arrestohet pas dy vitesh në kërkim
Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 19 vjeçar të shpallur në kërkim lidhur me 6 kasollet me kanabis të zbuluara nga policia në tetor të vitit 2016 në fshatin Vezhdanisht.
I arrestuari është Xhovalin Baco, banues në Vlorë. Për këtë shtetas Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi bimëve narkotike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a të Kodit Penal.
Më 04.10.2016, në fshatin Vezhdanisht u gjetën dhe u asgjësuan bimë narkotike kanabisi, u sekuestrua lëndë narkotike marijuanë, armë zjarri dhe u arrestuan 6 shtetas.
Droga e sekuestruar, i përfshirë dhe një agjent i Antikrimit Ekonomik
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë (afro 2 orë larg zonave të banuara), janë gjetur dhe sekuestruar në gjashtë kasolle plot 2.000 rrënjë kanabis sativa në proces tharjeje si dhe 5.250 bimë të mbjella në një parcelë, ende e pakorrur. Policia shpalli në kërkim edhe agjentin e Antikrimit Ekonomik, Renaldo Avduli, i cili dyshohet se ishte pronar i 2 parcelave.
Operacioni antidrogë, arrestimi si në filma
Operacioni antidrogë u ndërmor nga policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe FNSH-në e Fierit. 6 të arrestuarit u kapën teksa ishin duke konsumuar kafe në një lokal. Momenti i arrestimit të tyre ngjante me një skenë filmi, pasi sapo kanë hyrë policët e armatosur dhe të maskuar, njëri nga trafikantët është ngritur në këmbë. Blutë e Vlorës e kanë neutralizuar menjëherë dhe e kanë shtrirë në tokë.
U arrestuan
Shkëlqim Koçiaj, 24 vjeç, banues në fshatin Dushkarak, Vlorë;
Arjan Hasanaj, 43 vjeç, banues në Vlorë;
Klajdi Imeri, 21 vjeç, banues në Vlorë;
Taulant Haxhiraj, 35 vjeç, banues në Vlorë;
Albert Aliaj, 53 vjeç, banues në fshatin Drizar, Mallakastër
Xh.B., 18 vjeç, banues në Vlorë.
Në vendngjarje, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 2 automatikë, 1 pushkë, 2 krehra me 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm; veshje dhe sende të tjera të cilat shërbejnë si provë materiale.