Vullkani Fuego, shkon në 69 bilanci i viktimave

Ushtarët po ndihmojnë zjarrfikësit që të kërkojnë njerëzit e zhdukur pas shpërthimit të një vullkani të dielën në Guatemalë. Llava e nxehtë që shpërtheu, hiri dhe balta shkatërruan fshatrat. Numri i vdekjeve zyrtare nga vullkani Fuego është rritur në 69, thonë autoritetet. Mijëra njerëz janë duke u strehuar në strehimore të përkohshme. "Është e qartë se energjia e vullkanit ka rënë dhe tendenca e saj është të vazhdojë të ulet, që do të thotë se nuk do të ketë shpërthim të menjëhershëm gjatë ditëve të ardhshme,"-tha kreu i Institutit Kombëtar të Sizmologjisë të Guatamalës, Eddy Sanchez. Eufemia Garcia, nga Los Lotes përshkroi sesi arriti që të 'arratisej' duke ecur nëpër një rrugicë. Megjithëse ajo kishte gjetur dy nga fëmijët e saj gjallë, është ende në kërkim të dy vajzave, djalit dhe nipit të saj.