Tirana fut në krizë Luftëtarin

Tirana ka marrë fitoren e parë që prej rikthimit në Kategorinë Superiore. Kryeqytetasit mposhtën në "Selman Stërmasi" Luftëtarin me rezultatin 3-1. Të besuarit e Ze Maria dominuan totalisht ndaj një Luftëtari që është totalisht në krizë, pasi koleksionoi humbjen e katërt në po aq javë të Kategorisë Superiore. Takimi nisi praktikisht me gol për vendasit, me Blazhevski që kaloi bardheblutë në avantazh pas 3 minutash lojë. Një autogol i Dokës vendosi për një moment baraspeshën, por bardheblutë arritën të gjenin sërish rrugën e rrjetës duke fituar takimin. Fillimisht Turtulli dhe më pas Greca i dhanë 3 pikë mjaft të vyera Tiranës që merr fitoren e parë dhe del jashtë zonës së ftohtë, në kuotën e 4 pikëve. Ndërkohë Luftëtari konfirmon krizën, ku pas 4 takimeve nuk ka grumbulluar asnjë pikë, duke u salduar në vendin e fundit.