Spektakli i fishekzjarreve në Tiranë, magji dritash në qiell

Si kurrë më parë 2018 trokiti në kryeqytet me një spektakël fishekzjarresh. Sikundër Roma, Berlini, apo Londra, edhe në Tiranë mijëra qytetarë të ardhur nga i gjithë vendi dhe rajoni mbushën sheshin “Skënderbej” të transformuar tashmë, për të bërë numërimin mbrapsht të sekondave deri në nisjen e hedhjes së fishekzjarreve. Sheshi “Skënderbej” ishte epiqendra e festimeve, ku pjesëmarrësit në koncertin e organizuar nga Bashkia shijuan edhe spektaklin e fishekzjarreve dhe rrokën gotat në sekondat e para të këtij viti. E nëse për vite me radhë gjithçka i është lënë rastësisë, Bashkia e Tiranës ishte kujdesur për gjithçka. Fishekzjarret dhuruan një spektakël të koordinuar piroteknik, ndërkohë që festa deri në orët e para të mëngjesit me këngëtarët më të mirë të momentit, e radhitën Tiranën ndër kryeqytetet që festuan më bukur.