Princi i Monakos nis vizitën dy ditore në Shqipëri

Princi i Monakos, Alberti II, nisi sot një vizitë dy ditore në vendin tonë, vizita e parë e një monarku të Principatës së Monakos në Shqipëri. Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të te dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert i II zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare. Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert i II në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive. "Vizita e Princit Albert i II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie", – nënvizoi Presidenti Meta. Presidenti shqiptar vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret, në fushat ku eksperienca dhe ekspertiza e Monakos është shumë e njohur ndërkombëtarisht, si në turizëm e në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, inovacion e teknologjinë, në shërbimet financiare, trajnimin profesional e në fusha të tjera me interes.