Partizani-Tirana përmes fotove

Rubin Hebaj vesh me të kuqe kryeqytetin. Sulmuesi shkodran ishte autori i një përmbysje të paharrueshme ndaj Tiranës, duke shënuar një dopietë në fitoren 2-1 që Partizani arriti ndaj bardhebluve. Në "Selman Stërmasi" u luajt një takim mjaft i luftuar me dy skuadrat që ishin futur në fushën e lojës me synimin e njëjtë, fitoren. Me pjesën e parë që dhuroi vetëm disa raste sporadike, fraksioni i dytë ishte i gjithi për tu shijuar. Vetëm 6 minuta nga rikthimi në fushë i skuadrave, Grent Halili zhbllokoi shifrat. Talenti 20 vjeçar mori një top korrombolesk shumë pranë zonës së vogël dhe me një gjysëm-parabël mposhti Hoxhën. Kaq u desh që "demat" të tërboheshin. Skënder Gega nisi të lëviz kartat, duke hedhur në sulm dyshen shkodrane Hebaj-Çinari. Binom që funksionoi, me Çinarin që mjaftoi për të dhënë shkëndija, ndërsa Hebaj për të goditur kundërshtarët. Vetëm pak minuta pasi u gjend në fushë, Hebaj goditi në dy kohë sferën e krosuar nga e majta për të vendosur baraspeshën. Gol i cili shtoi sulmet e të kuqve dhe 20 minuta më pas, ishte sërish Hebaj që përmbysi gjithçka, duke vulosur rezultatin përfundimtar në 2-1. Një triumf që thellon rekordin e "Demave" ndaj Tiranës, që ka 15 ndeshje pa humbje ndaj bardhebluve. Ndërkohë ky rezultat negativ godet edhe psikologjikisht bardheblutë, që qëndrojnë në vendin e 8-të me 11 pikë, duke rrezikuar shumë rënien një kategori më poshtë. Ndërsa me këtë fitore Partizani nis arratinë drejt titullit, pasi numëron 4 pikë më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë, i cili ditën e nesërme pret Teutën. / Foto LSA. Malton Dibra.