Partizani "leksione" futbolli Teutës

Partizani ka prishur mallkimin e "pas derbit" duke mposhtur me rezultatin e thellë 3-0 Teutën. Në stadiumin "Selman Stërmasi" dominimi i të kuqve ishte prezent gjatë gjithë 90 minutëshit, duke nxjerrë në pah synimet e këtij sezoni për skuadrën e Skënder Gegës. Ishin durrësakët ata që tentuan të gjenin të parët portën, por as Latif dhe as Gashi nuk arritën të vendosnin në provë gardianin Alban Hoxha. Një gjë të cilën nuk e arritën bregdetarët e bënë të kuqtë, që në zhvillimin e një goditje dënimi gjetën rrugën e rrjetës. Ishte Asani i cili mori përsipër ekzekutimin dhe me fat tundi rrjetën për të dërguar në delir tifozët dhe një dedikim për mbrojtësin e dëmtuar Bitrin. Një mesazh që tregon edhe njëherë se Partizani i këtij sezoni është më i bashkuar se kurrë dhe se dora e Gegës është ndjerë në çdo cep të klubit. Disavantazhi u duk se zgjoi të besuarit e Blendi Shkëmbit, që u hodhën në sulm për të gjetur golin e barazimit. Megjithatë Asani në të 41 minutë i prishi llogaritë dhe ia bëri më të vështirë misionin, pasi shënoi për 2 me 0 dhe vulosi praktikisht fatin e këtij takimi. Në minutën e 81 Mensah shënoi golin e tretë dhe të sigurisë. Pas kësaj fitoreje Partizani ngjitet e vetme në vendin e parë në klasifikim, në kuotën e 16 pikë, tre më shumë se Kukësi i cili viziton nesër Korçën për tu ndeshur me Skënderbeun. Sa i përket Teutës, durrësakët pësojnë humbjen e 3 në shtatë javë kampionat, ndërsa mbajnë vendin e 7-të me 8 pikë.