Partizani-Laçi përmes fotove

Partizani fiton Telushin, por jo takimin. Të kuqtë hodhën poshtë një tjetër mundësi për të "vrarë" kampionatin, pasi nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Laçit. Rastet ishin të shumta në të dy kampet, por pavarësisht kësaj arritën të gjenin fundin e rrjetës vetëm në një rast secila. Zhbllokimi i takimit të zhvilluar në "Selman Stërmasi" dhe i vlefshëm për javën e 32-të të Kategorisë Superiore do të vinte në minutën e 22-të. Hyrja në zonë e Xhixha ndalet në mënyrë të gabuar nga Alban Hoxha dhe nuk ka dyshime për kryesorin, penallti. Nga pika e bardhë niset Shtubina, i cili dërgon në njërin krah portierin dhe në tjetrin sferën. Rastin më të mirë për të barazuar e kishte Mensah pak minuta para fundit të pjesës së parë, por shumë pranë vijës fatale bëri të pabesueshmen, duke e dërguar jashtë. Me rikthim në fushë, kryeqytetasit panë më shumë drejt portës kundërshtare, teksa lëvizjet e Skënder Gegës rezultuar fituese. Ishte pikërisht Bruno Telushi ai i cili nxori nga "balta" shokët e skuadrës. Vlonjati u rikthye pas një periudhe të gjatë jashtë fushave, por arriti që të gjej fundin e rrjetës. Pas këtij barazimi, Partizani numëron 11 pikë më shumë se Kukësi që ka edhe një takim për të zhvilluar, pikërisht atë ndaj Teutës. Të kuqtë kanë në dispozicion edhe 5 takime për të arritur te titulli. Gjithsesi, për të hipotekuar edhe matematikisht titullin, i duhen vetëm gjysma e pikëve nga 15 të mundshme../ Foto LSA