Ora News siguron pamjet e grabitjes së karburantit në Sarandë

Ora News ka siguruar pamjet e një prej grabitjes së karburantit në Sarandë mëngjesin e sotëm. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur dy grabitës me kapuç në kokë rreth orës 06:49 minuta vijnë tek pika e karburantit jo nga rruga, por nga skarpata aty pranë dhe hyjnë tek vendi ku qëndron punonjësi i karburantit dhe paratë që merr nga shitja e naftës dhe benzinës. Teksa njëri e kërcënon me armë tip pistoletë, tjetri i afrohet rojës me një thikë dhe nën kërcënimin e tyre e neutralizojnë atë. Duke e mbajtur të mbështetur pas muri, grabitësit zhvillojnë kontrolle të shpejta të sirtarëve por edhe në xhepin e punëtorit me uniformë. Teksa zhvillojnë kontrolle, dukshëm të nervozuar, grabitësit godasin me shkelma sirtarët dhe më pas njëri prej tyre, merr një telefon dhe largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas aksionit, ata rikthehen nga e njëjta rrugë nga erdhën për t'u larguar.