Kukësi mposht Kamzën

Kukësi është kthyer te fitorja, dhe këtë e ka bërë përballë Kamzës në transfertë. Verilindorët fituan një ndeshje të çuditshme, ku vendosën dy autogola për shifrat përfundimtare 2 me 0. Fillimisht Frashëri dhe më pas Teqja e shtynë sferën në fundin e rrjetës së tyre, duke i dhuruar në një farë mënyre 3 pikë kundërshtarëve. Ndeshja nisi me pak raste të pastra për shënim, teksa duhej të vinte vetëm minuta e 28-të që të ndizet disi. Një krosim i Plakut u ndal nga Cuculi, me këtë të fundit që u pretendua se e preku me dorë. Gjithsesi, për gjyqtarin Indrit Myrtja ishte gjithçka e rregullt. Vetëm pak sekonda më pas, por tashmë në krahun tjetër, një krosim nga e djathta u godit me kokë nga Ethemi, me shtyllën që i prishi festën. Por një gjë të tillë nuk e bëri Frashëri. Në mënyrë të pafat mbrojtësi devijoi me kokë sferën e kthyer nga trau për të zhbllokuar takimin. Pak sekonda më vonë, Teqja kishte të njëjtin fat si Frashëri. Harkimi i Çyrbes bëri që mbrojtësi ta dërgonte topin në fundin e rrjetës së Kamzës për të dytën herë./ Foto LSA. Malton Dibra.