"Kërce ose vdis", balererini sirian sfidon ISIS

I lindur në një kamp refugjatësh pranë Damaskut, Ahmad Joudeh është kërcënuar nga ISIS, por më 1 janar do të performojë në krah të balerinit te famshëm italian, Roberto Bolle. Ai ka lindur në vitin 1990 dhe është rritur në kampin e refugjatëve Yarmouk pranë Damaskut, në një familje me origjinë palestineze. "Kur isha 8 vjeç gjatë një koncerti pashë një grup vajzash të kërcenin dhe aty e kuptova. Duhet të kerceja", është shprehur balerini sirian për Corriere de la Sera. U diplomua në Institutin e Lartë për Arte Dramatike në Damask, për t'u bashkuar më pas me "Enana Dance Theater". Mori pjesë në një turne nga Libani deri në Emiratet e Bashkuara dhe arrin në gjysmëfinale në talent shoun arab "So you think you can danse". Pas kësaj nisi t'u mësonte balet jetimëve sirianë. Ndërsa ai ngjitej çdo ditë e më lartë, Siria u përfshi nga lufta. Fillimisht bombat e regjimit të Assad i shkatërrojnë shtëpinë dhe më pas xhihadistët marrin kontrollin e kampit Yarmouk. Në vitin 2014, ISIS e kërcënon me vdekje në Facebook. " Për ata është e patolerueshme që një mysliman të vendos vetë se çfarë dëshiron të bëjë", ka shpjeguar Ahmad për Corriere. "Por islami i vërtetë është tjetër gjë. Është liria për të zgjedhur," Ahmad nuk dorëzohet as përpara terrorit. Bën një tatuazh ku shkruan " Dance or Die", " Kërce ose vdis", pikërisht në anën e pasme të qafës, ku xhihadistët kërcënuan se do t'i vinin thikën. Dhe shkon përpara. Stërvitje, këmbëngulje, përpjekje, kurajo. Vitin e kaluar, regjizori holandez Roozbeh Kaboly realizon një dokumentar për të. Historia e tij i kalon kufijtë e Lindjes së Mesme. Ahmad vendos në skenë një nga koreografitë e tij në teatrin e lashtë romak në Palmira, aty ku ISIS detyroi 25 të rinj të vrisnin të burgosurit. Gjithmonë e më shumë, derisa më në fund u pranua në Baletin Kombëtar Holandez në Amsterdam. Por lista e ëndrrave të tij nuk mbaron aty, derisa në Amsterdam takohet me Roberto Bolle, me yllin e La Scala, si dhe solistin kryesor ne Teatrin Amerikan te Baletit. " Për 11 vjet, cdo natë kam parë videot e tij në You Tube, imazhet e tij i mbaja në ekranin e kompjuterit. Kur hyri në dhomë shpërtheva në lot. Ai është modeli im, më ka inspiruar në gjithçka kam bërë", ka rrëfyer ai. Pas emocioneve, Ahmad e Roberti janë bërë miq. Bolle i ka kërkuar të kërcejnë sëbashku. Dy balerinët janë të ftuar më 10 dhjetor në shou-n televiziv " Che tempo che fa" në Rai Uno dhe më 1 janar 2018, Ahmad do të performojë në shfaqjen e " Roberto Bolle, kërce me mua", që do të jetë premierë ne Rai Uno. "Kur i tregova nënës sime, ajo lëshoi një klithmë sepse e di sa i rëndësishëm është Roberti për mua, " ka thënë Ahmad duke shtuar: E kam falur atë, por për një kohë të gjatë nuk kemi folur. Një natë më erdhi në dhomë dhe u përqafuam. Më kërkoi falje për të gjitha herët që më ka ndaluar të kërceja. Por lista e sfidave për të nuk mbaron me kaq. Balerini do të kthehet në Siri, një ditë, në paqe. Nëna dhe babai i tij sot janë të divorcuar, pikërisht për shkak të urrejtjes së babait për pasionin e djalit.