Ikën Llalla, Kryeprokurorja e përkohshme merr sot detyrën

Një ditë pas votimit dhe betimit mes tymueseve dhe përplasjeve fizike brenda dhe jashtë Kuvendit, Kryeprokurorja e Perkohshme, Arta Marku mori sot detyrën e lënë nga Adriatik Llalla të cilit i mbaroi mandati më 7 dhjetor. Mëngjesin e sotëm, Kryeprokurorja Arta Marku u nis nga banesa e saj në Shkodër për të mbërritur në institucionin e Prokurorisë rreth orës 10:00. Ajo shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjoncaj. Eskorta që mbronte deri dje Llallën tani është në dispozicion të kryeprokurores së përkohshme e cila do të drejtojë Prokurorinë deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri pas plotësimit të KLP-së. Mësohet se pas dorëzimit të detyrës, zonja Marku ka mbajtur dhe një takim të shkurtër me stafin e prokurorisë për tu larguar më pas me makinë nga ky institucion. (Foto LSA)